Çfarë po raportohet

Ditët e fundit, në mediat ndërkombëtare, dhe në Shqipëri, ka qarkulluar një lajm tronditës nga Afganistani, sipas të cilit utoritetet talebane kanë urdhëruar që grave t’u hiqen emrat dhe në vend të tyre të përdoret termi i përgjithshëm “Bibi”.

Screenshot nga video e publikuar në Instagram nga Euronews Albania

Për shkak të natyrës ekstreme dhe pothuajse të pabesueshme të këtij vendimi, në rrjetet sociale kanë lindur dyshime nëse bëhet fjalë për një lajm të rremë, një ekzagjerim mediatik apo satirë.


Çfarë gjetëm

1.Urdhri vlen për dokumentet zyrtare dhe shëndetësore në provincën Balkh

Sipas raportimeve të verifikuara të fund-nëntorit 2026, autoritetet talebane kanë urdhëruar heqjen e emrave të grave nga dokumentet zyrtare, kartelat spitalore dhe recetat mjekësore në provincën Balkh, në veri të Afganistanit. Në vend të emrit personal, ato duhet të regjistrohen me termin e përgjithshëm “Bibi” (një term tradicional që nënkupton “zonjë” ose “gjyshe”) ose me një numër.

2.Rrezik i drejtpërdrejtë për jetën e pacienteve

Aktivistët afganë për të drejtat e njeriut, përfshirë aktivisten Lalah Osmany, kanë ngritur alarmin se ky vendim nuk është thjesht simbolik, por krijon kaos fatal në spitale. Kur dhjetëra receta dhe kartela mjekësore regjistrohen nën të njëjtin emër, “Bibi”, rreziku për ngatërrimin e diagnozave, barnave dhe trajtimeve mjekësore bëhet jashtëzakonisht i lartë.

3.Shtrirja gjeografike: Ende jo në të gjithë vendin, por me precedent të rrezikshëm

Deri në këtë moment, direktiva është konfirmuar vetëm në provincën Balkh dhe ende nuk është zyrtarizuar shtrirja e saj në të gjithë Afganistanin. Megjithatë, organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se regjimi taleban e ka praktikë të zakonshme testimin e ndalimeve ekstreme fillimisht në një provincë, përpara se t’i kthejë ato në ligj kombëtar. Sipas të dhënave të OKB-së, në pesë vitet e fundit talebanët kanë lëshuar mbi 100 dekrete që kufizojnë të drejtat e grave.


Analiza

Në punën e verifikimit të fakteve, skepticizmi është gjithmonë i shëndetshëm. Kur një titull i shkurtër në rrjetet sociale thotë “Grave në Afganistan u hiqet emri! Të gjitha do të quhen Bibi”, instinkti i parë i një lexuesi të kujdesshëm është të mendojë se po lexon një lajm të rremë.

Por në rastin e Afganistanit nën regjimin taleban, realiteti shpesh i tejkalon kufijtë e imagjinatës. Ky urdhër vjen si vazhdimësi e një fushate sistematike për fshirjen e plotë të gruas nga jeta publike, pas ndalimit të arsimit, punës, lëvizjes së lirë dhe shfaqjes së fytyrës apo zërit në publik. Madje, aktivistët raportojnë se në disa zona rurale, tabuja e përmendjes së emrit të gruas shkon deri aty sa burrat u referohen grave të familjes me nofka poshtëruese.


Si ta verifikosh një lajm që tingëllon “shumë ekstrem”?

  • Mos e hidhni poshtë vetëm sepse duket i pabesueshëm:

Lajmet nga regjime ekstreme shpesh tingëllojnë si satirë. Kontrolloni nëse ngjarja po raportohet nga agjenci të besueshme ndërkombëtare (si Reuters, AP, El País, BBC apo Amnesty International).

  • Lexoni tekstin përtej titullit viral:

Titujt e videove të shkurtra (Reels/Shorts) shpesh përgjithësojnë një vendim lokal si të vlefshëm për të gjithë shtetin. Teksti i plotë i lajmit jep gjithmonë kufijtë e saktë të ngjarjes (në këtë rast: provinca Balkh dhe dokumentet zyrtare/mjekësore).


Verdikti

Urdhri për heqjen e emrave të grave dhe zëvendësimin e tyre me termin “Bibi” është lëshuar për dokumentet zyrtare dhe shëndetësore në provincën veriore të Balkh-ut, ndërsa aktivistët paralajmërojnë se kjo masë rrezikon të shtrihet në të gjithë vendin. Për këtë arsye, këtij lajmi i japim verdiktin I Vërtetë.